Adela Karapici

Adela Karapici u lind në Tiranë, më 7 Mars 1985. Znj. Karapici mban titullin “Profesor I Asociuar” (2015) dhe “Doktor shkencash” në vitin 2012 i marrë në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

Adela Karapici ka përfunduar studimet e larta dega Ekonomiks në Fakultetin e Ekonomisë, Universitetin e Tiranës. Ajo ka kryer studimet master në “Studimet Ekonomike Evropiane” në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti I Tiranës në bashkëpunim me Universitetin e Bambergut, Gjermani. Znj. Karapici ka ndjekur disa specializime dhe kërkime në Universitete si Technical University of Budapest, Hungari.

Znj. Karapici ka punuar për një periudhë disa mujore në Drejtorinë e Përgjithsshme të Buxhetit në Ministrinë e Financave në vitin 2007-2008 dhe në të njëjtën kohë pedagoge e jashtme në Fakultetin e Ekonomisë. Znj.Karapici ka punuar si pedagoge e brendshme në Departamentin e Ekonomiksit në Fakultetin Ekonomik, Universiteti I Tiranës, që prej tetor 2008.

Në Shkurt të vitit 2016 ajo është emëruar Zv. ministre në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Ajo është autore dhe bashkëautore e artikujve në revista shkencore kombëtare edhe ndërkombëtare në fushën e Ekonomiksit.

Adela Karapici është anëtare e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Znj. Karapici është zgjedhur anëtare Kryesie dhe delegate në Njësinë 5, Tiranë.