Monika Kryemadhi lindi në Tiranë në 9 prill 1974.
Znj. Kryemadhi është diplomuar për “Bio-Kimi” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Gjatë periudhës Gusht 1999 – Dhjetor 1999 ka kryer “George C. Marshall European Center for Security Studies”. Ndërkohë në vitin 2000 – 2002 ka kryer Master në “Administrim Biznesi”, nga Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës në bashkepunim me Universitetin e Nebraskës, ShBA. Në prill të vitit 2002 ajo ka marrë “Certificate of Appreciation” nga Qendra George C. Marshall. Njëkohësisht në prill 2002 ka mbaruar “Leadership for the 21 st Century: Chaos, Conflict and Courage” në Harvard University. Gjithashtu në vitin 2015 ka përfunduar Doktoraturën për “Analiza e Sistemit të Sigurimeve Shoqërore në Këndvështrimin Ekonomik dhe Juridik”. Znj. Kryemadhi gjatë viteve 1999 – 2001 ka punuar si Specialiste në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.
Nëntor 1991, Monika Kryemadhi anëtarësohet në PS dhe zgjidhet anëtare e Komitetit Drejtues të PS Tiranë. Më 15 Janar 1992 zgjidhet anëtare e Kryesisë së FRESSH dhe në 10 Maj 1992 në Kongresin e I-rë të FRESSH, ajo zgjidhet Sekretare e Përgjithshme e FRESSH. Më 1994 zgjidhet Zv presidente e Internacionales së Rinisë Socialiste dhe në 1996 rizgjidhet sërisht Zv presidente e IUSY.
1996-2001 zgjidhet anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke shërbyer 2 mandate si përfaqësuese e Partisë Socialiste. Gjatë kësaj kohe, ajo zgjidhet Sekretare e Delegacionit të Pushtetit Vendor në Këshillin e Europës. Në 2001 ajo zgjidhet deputete e Kuvendit të Shqipërisë për zonën e Kombinatit, duke garuar me Partinë Socialiste ku arriti një nga rezultatet më të larta në atë kohë prej 79% të votave. Monika është një nga deputetet e cila në 2004 firmosi për krijimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vitin 2013, duke garuar për LSI në qarkun e Lezhës ajo zgjidhet deputete për herë të dytë në Kuvendin e Shqipërisë. Në 2017 ka fituar mandatin e saj të tretë në pushtetin legjislativ, këtë herë si deputete e Elbasanit.
Gjatë periudhës 2012-2017 Kryemadhi ka mbajtur pozicionin e Sekretares Organizative në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ndërsa nga Maj 2017 deri në Korrik 2017 ka mbajtur pozicionin e Zv kryetares të LSI. Më 5 Korrik 2017 Kryemadhi zgjidhet Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga Konventa Kombëtare, duke zëvendësuar Z. Petrit Vasili i cili dha dorëheqjen pas zgjedhjeve. Ajo rikonfirmohet në detyrë përmes procesit të votimit ‘1 anëtar – 1 votë’ të mbajtur më 21 Nëntor 2020. Znj. Kryemadhi njeh në nivel shumë të mirë dhe dy gjuhë të huaja, anglisht dhe frëngjisht. Kryemadhi është e martuar me Ilir Metën, me të cilin ka tre fëmijë: Bora, Besar dhe Era Metaj. Në vitin 2017, kur Meta u zgjodh President i Shqipërisë, Kryemadhi refuzoi të bëhej Zonja e Parë e vendit, duke zgjedhur të vazhdojë të ishte deputete e parlamentit.